“Qeveria është duke hartuar Ligjin e ri për dhunën në familje”

“Qeveria është duke hartuar Ligjin e ri për dhunën në familje”

Qeveria e Kosovës është duke hartuar Ligjin e ri për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, përcjell Insajderi.com.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri, Albin Kurti, gjatë takimit me udhëheqëset e strehimoreve në Kosovë.

Takimi i Kurtit me udhëheqëset e strehimoreve.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka diskutuar edhe për ofrimin e shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës në familje dhe roli i strehimoreve në mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre.

“Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Drejtësisë, znj. Nita Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, znj. Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga udhëheqëset e strehimoreve për angazhimin dhe sfidat në fushën e përgjegjësisë së tyre, në fazat e reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, për mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të viktimave të dhunës në familje.

U diskutuan hapat e mëtejmë që do të forcojnë edhe më tej zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në kornizën tonë ligjore, dhe zbatimin e kërkesave që burojnë nga kjo konventë, e që do të udhëzojnë më tej punën e institucioneve përgjegjëse”, thuhet ndër tjerash në njoftim./Insajderi.com