“Qeveria Haradinaj e panevojshme për Kosovën”

“Qeveria Haradinaj e panevojshme për Kosovën”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ftuar në emisionin Argument Plus të RTV21, tha se një qeveri si kjo e Haradinajt është e paqëndrueshme dhe e panevojshme për Kosovën.

Ai tha se Qeveria ka nevojë për votat e opozitës, por votat e opozitës nuk janë për këtë qeveri, shkruan rtv21.tv

“Qeveria i ka 52 vota në Parlament dhe asnjë iniciativë e tyre nuk mund të kalojë pa pëlqimin e opozitës. Një formë e tillë e qeverisjes është e paqëndrueshme dhe e panevojshme për Kosovën, sidomos përball sfidave në të cilat gjendemi. Prandaj ideja ka qenë që të caktojmë datën e zgjedhjeve dhe në bazë të kësaj date të caktohen dhe afatet kohore për caktimin e temave tjera me interes nacional. E jo e kundërta, që temat me interes nacional të përcaktojnë një datë të zgjedhjeve në mënyrë që koalicioni qeverisës të blejë kohë, të qeverisë me votat e opozitës edhe të sigurojë atë që ka nevojë, pra pushtetin”, tha Abdixhiku.

Deputeti tha se ka qenë gabim i madh që Qeveria u formua me 61 vota. “Këtë e kemi thënë edhe në fillim”, tha ai.

I pyetur nëse Kosova ka luksin të shkojë në zgjedhje çdo vit pasi po krijohet bllokadë institucionale dhe po i kushton vendit në përgjithësi, Abdixhiku tha se “Kosova nuk e ka luksin të qeveriset me 52 deputetë nga 120, Kosova nuk e ka luksin të varet nga Lista Serbe, Kosova nuk e ka luksin të udhëhiqet nga 22 parti”.