k" />

Qeveria heshtë për 70 mijë eurot e ndara për mbrojtjen e komandantëve nga Specialja

Qeveria heshtë për 70 mijë eurot e ndara për mbrojtjen e komandantëve nga Specialja

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nuk ka treguar mbi çfarë baze ligjore ka ndarë 70 mijë euro për mbrojtjen e katër ish-komandanteve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale, përfshirë edhe dajën e kryeministrit, Lahi Brahimaj.

Insajderi ka raportuar të hënën se si Qeveria ka marrë vendime; për ndarjen e 30 mijë euro për Sami Lushtakun, Sylejman Selimin dhe Mahir Hasnain si dhe 40 mijë euro për dajën e kryeministri Lahi Brahimaj, ani pse ekzistonte një fond prej 1.5 milionëve eurove.

Por ky fond sipas Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare, do të shfrytëzohej vetëm pasi që ndaj të dyshuarve të ngriteshin aktakuzat.

Dy vendimet janë mbajtur të fshehura nga publiku. Ato nuk figurojnë as në webfaqen e qeverisë, shkruan Insajderi.

Zyra e Kryeministrit nuk ka treguar pse i ka mbajtur të fshehur këto vendime e as mbi çfarë baze ligjore i ka ndarë këto mjete.

Në një përgjigje të shkurtër thuhet se me fondin menaxhon Ministria e Drejtësisë dhe se të gjitha kërkesat shkojnë përmes kësaj ministrie.

“Drejtohuni në Ministrinë e Drejtësisë, sepse kërkesat shkojnë përmes saj”, thuhet në përgjigjen e zyres së kryeministrit.

Përgjigje rreth kësaj çështje nuk ka dhënë as Ministria e Drejtësisë, edhe pse gazeta për dy ditë radhazi ka kërkuar sqarime.

Kjo ministri në një rast tjetër kishte refuzuar kërkesën për ndihmë të një ish-ushtarit të UÇK-së.

Muhamet Krasniqi, i njohur me nofkën “Petriti”, kishte kërkuar ndihmë nga zyra e për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare, që merret ekskluzivisht me të dyshuarit e Gjykatës Speciale nga UÇK-ja.

Ai u ka kërkuar që t’i angazhohet një avokat për 23 korrik, ditën kur i duhet të dalë para prokurorëve të Gjykatës Speciale dhe ndihmë për udhëtimin drejt Hagës. Por kërkesa e tij është refuzuar.

“Shteti nuk është tu më mbuluar asgjë, kam vrapuar poshtë e lartë, por nuk po kam mundësi me paguar avokat. Shteti kurrfarë ndihme nuk ma ka dhanë”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Ai thotë se nga zyra që menaxhon me fondin e ndarë i ishte thënë se ndihmë do të merrte vetëm nëse ngritet aktakuzë ndaj tij.

“Kam qenë tek zyra e Driton Lajçit dhe ata nuk kishin asnjë cent për mjetet. Pasi të ngritet aktakuza më kanë thënë se mund të ndihmojmë. Në momentin që ngritët aktakuza nuk më duhet as avokat as asgjë, mua më duhet për procesin e hetimeve sa është tash. Nuk po ndërmerr askush asgjë as nga shoqatat e dala nga lufta dhe askush”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Ministria e Drejtësisë nuk kanë treguar as sa kanë mbetur nga fondi prej 1.5 milion që ishte ndarë në vitin 2016.

Deri në dhjetor të vitit 2017 ishin shpenzuar gjysmë milioni euro nga ky fond. Por kjo ministri kishte refuzuar t`i ofroj Insajderit faturat e shpenzimeve.

Ndonëse deri tash nuk dihet se sa kanë shpenzuar institucionet për shpenzimet e të ftuarve nga Specialja, dihet se për dy vjet janë planifikuar të shpenzohen 10 milionë euro. Insajderi ka gjetur se me taksat e qytetarëve, Ministria e Financave ka parashikuar të shpenzoj për “Procesin e Dhomave të Specializuara” shumën prej 10 milionë eurove, deri në vitin 2020 në mbrojtje të krimeve të supozuara të komandantëve të UÇK-së.

“Funksionalizimi i gjykatës speciale ka sjellë 10 milion Euro shtesë”, thuhet në planin e ministrisë së Financave. /Insajderi.com