Qeveria në detyrë e Kosovës brenda kësaj jave pritet që të marrë një vendim lidhur me shpërndarjen e mjeteve të parapara në buxhetin e këtij viti për rimëkëmbje ekonomike.
Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se së pari do të merret një vendim i përgjithshëm në Qeveri për implementim të përgjithshëm të pakos së rimëkëmbjes ekonomike për tërë shumën prej 222.4 milionë euro.
“Në këtë vendim mjetet të cilat nuk janë të dedikuara për qëllime të caktuara do të ndahen nëpër institucione për zbatimin e masave të caktuara në mbështetje të biznesit, individëve dhe ministrive/komunave të cilat mbulojnë fusha të caktuara”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka thënë se me vendime të veçanta do të alokohen fondet në zbatim të pakos ku ministritë zbatuese përcaktojnë kriteret dhe afatet për implementim të këtyre masave.
Prioritet sipas tij, për fillim do të kenë fushat në të cilat është domosdoshëm fillimi i zbatimit të masave siç është arsimi, vijimi i pagesave për shtesa për sektor të caktuar, pagesat për të vetëpunësuarit dhe ata që kanë humbur vendet e punës.
“Gjatë vitit 2021 do të ketë zbatim të plotë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike. Fillimi i zbatimit të masave pritet të fillojë gjatë janarit të këtij viti. I tërë procesi i implementimit do të zbatohet në mënyrë transparente”, ka thënë tutje Krasniqi./Insajderi.com