Procesi për hartimin e statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po fillon të jetësohet. Kjo pavarësisht se qeveria kohë më parë ka refuzuar që ta formojë komisionin si pasojë e mos zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me Beogradin zyrtar.
Por pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme ka pritur në takim shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, zëvendës shefen e Misionit të OSBE-së, Paivi Nikander si dhe Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se gjatë takimit, u bisedua për procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja në Bruksel.
Në takim, u theksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve dhe u vlerësua se ditëve të fundit është krijuar një atmosferë pozitive në këtë proces.
Gjatë takimit, po ashtu, u bë e ditur se është kompletuar Ekipi Menaxhues, i cili në bashkërendim me insititucionet e Republikës së Kosovës, OSBE-në, BE-në dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane, do të punojë në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. /Insajderi.com