Me masat e reja të Qeverisë, disa qytete u bllokuan. Nuk u lejua as hyrja e as dalja, përveç në raste urgjente. Mes tyre Prishtina, Fushë Kosovëa, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimja. Megjithatë kosovarët disi iu shmangën këtyre kufizimeve duke udhëtuar drejt Shqipërisë për ta kaluar vikendin. Ky ishte vikendi i parë nën masat e reja, por numri i qytetarëve të Kosovës që shkuan në Shqipëri gjatë të shtunës e së dielës ishte ai i vjetri. Të dhënat e policisë tregojnë se kalimi i kufirit mbante trendin e njëjtë – si me, si pa masa.
Një numër i konsiderueshëm i automjeteve është parë duke kaluar kufirin për në Shqipëri, në mbrëmjen e së premtes së kaluar, kur edhe u vendosën masat e reja kufizuese nga Ministria e Shëndetësisë përgjatë fundjavës në Kosovë, njofton Insajderi.
Këtë gjë e konfirmojnë edhe të dhënat e regjistruara në pikat kufitare të vendit, ku gjatë vikendit që lamë pas, u vërejt një trend i njëjtë i hyrje-daljeve edhe pse u kërkua që të respektohen rregullat për mbyllje (ndonëse pa vendim të marrë për këtë të fundit).
Siç tha kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, se “do të gjenden format kreative për të kaluar vikendin”, edhe qytetarët nuk u kursyen nga ky kreativitet, duke zgjedhur që të kalojnë vikendin në Shqipëri.
“Bazuar në statistikat e evidentuara të këtyre ditëve, vërehet kryesisht një trend i njëjtë i hyrjeve daljeve. Trend ky i cili varioron në shifra të tilla edhe ditëve tjera”, thonë në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, Zyra e Informimit të Policisë, derisa u pyetën nëse është regjistruar numër më i vogël i njerëzve që kanë kaluar kufijtë e Kosovës.
Në vendimin qeveritar nuk është përmendur mbyllja kufitare, megjithatë është marrë vendim që të ndalohen hyrjet-daljet në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes. Lëvizja brenda dhe jashtë lëtyre qyteteve u ndalua nga ora 20:00 të premtën, deri të hënën në ora 05:00.
Ndryshe nga Hoti, nga fusha e ekonomisë nuk e kanë mirëpritur veprimin që morën mijëra kosovarë gjatë fundjavës që lamë pas.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kishte thënë se rregullat e vendosura nga ekzekutivi gjatë asaj dite, nuk kanë kuptim.
Madje siç tha ai, “Masave te reja po ju mungon vetëm slogani: Merr rrogën në Kosovë dhe shpenzoje në Shkup ose Tiranë”.
Ndër masat e ndërmarra gjatë pasdites së 6 nëntorit ishte: Ndalimi i veprimtarisë së të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej 6 nëntorit nga ora 20:00, deri më 9 nëntor në orën 05:00.
U lejuat veprimtaria e furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.
Janë lejuar institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
Po ashtu shërbimet dhe aktivitetet që ndërlidhen me menaxhimin e COVID-19.
Si dhe, operatorët ekonomikë dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e furnizimit. /Insajderi.com