Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti do të formojë një Komision, i cili do ta bëjë vlerësimin e hidrocentraleve.
Kështu ka bërë të ditur, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Ambientit, Linda Çavdarbasha.
“Jemi në fazën e verifikimit të të gjithë procesit të dhënies së licensimit për kompanitë e Hidrocentraleve. Po marrim për bazë dhe opinionet qytetare dhe do të kemi në konsideratë edhe ankesat nga ana e përfaqësuesve të hidrocentraleve. Për këtë do të krijohet një komision ndërinstitucional i cili do të bëjë vlerësimin e të gjithë procesit”, ka bërë të ditur zëvendësministrja Çavdarbasha për Front Online.
Ndaljen e punës së hidrocentraleve e kanë kërkuar ditë më parë banorët e zonave gjatë një takimi që kanë pasur me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë ka qenë e zëshme ndaj hidrocentraleve të cilat janë ndërtuar në disa rajone të Kosovës.
Për këtë ata patën ngritur edhe një padi, ku kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë të pezullojë prodhimin e energjisë që po e shtjerrë lumin, e po i lë banorët e Deçanit pa ujë për pije./Insajderi.com