Agron Demi nga Instituti “GAP”, ka kërkuar sqarim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ky i fundit ende nuk e ka paraqitur programin e tij qeverisës, përcjell Insajderi.
Demi ka renditur kërkesën e Kurtit për mbajtjen e zgjedhjeve, anketat të cilat Lëvizjen Vetëvendosje e nxirrnin fituese dhe në fund periudhën trijavore që ai po qeverisë me vendin.
“Një vit kërkon zgjedhje, për disa muaj anketat tregojnë që ke me i fitu zgjedhjet me mbi 50%, qe dy muaj edhe zyrtarisht e di që ke me qeverisë i vetëm, qe tre javë e ke fillu mandatin qeverisës, edhe ende nuk ka një Plan Qeverisës. Qysh?!”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërkohë, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se të shtunën dhe të dielën, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, kanë zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.
“Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim”, ka deklaruar Kurti./Insajderi.com