Kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, ka deklaruar se monitorimi i zbatimit të Ligjit për pandemi, si dhe plotësim-ndryshimet e ligjeve në shëndetësi, do të jenë prioritetet fillestare të Komisionit që ajo udhëheq, transmeton Insajderi.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për reformë në shëndetësi, plotësim-ndryshimin e disa ligjeve, duke përfshirë edhe atë për sëmundje infektive.
“Është e qartë që një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë është luftimi i pandemisë. Ky është problem global por ne si vend do ta kemi epiqendër përveç çështjeve tjera sepse kemi nevojë për reformë në shëndetësi, kemi nevojë për plotësim ndryshimin e shumë ligjeve një ndër to është edhe Ligji për sëmundje ngjitëse”, është shprehur Kollçaku në një intervistë për EO.
Tutje, Kollçaku ka folur edhe për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19. Ajo është shprehur se së shpejti pritet të vijë kontingjenti i dytë me vaksina.
“Tani ka filluar vaksinimi dhe jam në dijeni që janë duke u zhvilluar bisedimet që shumë shpejt do të vijnë edhe sasi të tjerave më të mëdha të vaksinave. Ne nuk kemi numër të mjaftueshëm të inspektorëve dhe nuk duhet t’i presim ata se si të sillemi. Ne duhet të fillojmë sillemi përgjegjshëm dhe në krye të tij të jetë Qeveria”./Insajderi.com