Qeveria me masa të reja për parandalimin e COVID-19 në veri

Qeveria me masa të reja për parandalimin e COVID-19 në veri

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që duke filluar nga data 8 korrik 2020, nga ora 21:00 deri në orën 05:00, të ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, njofton Insajderi.

Nga ky vendim përjashtim bëjnë rastet urgjente shëndetësore; rastet e nevojës së kujdesit për të sëmurë, persona me nevoja të veçanta, në rastet kur të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten; rastet e kërkimit të ndihmës nga institucione përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; rastet e vdekjes së anëtarit të familjes; dhe rastet e nevojave të përkujdesjes ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

Sipas këtij vendimi të miratuar sot nga kabineti qeveritar ndalohen hyrje-daljet 24 orë për personat e infektuar, ata të kontaktit dhe personat e dyshuar në Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në afat 14 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përveç rasteve të përjashtuara.

Vendimi është propozuar nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj pas kërkesës nga kryetarët e komunave në veri dhe është mbështetur nga IKSHPK-ja, duke pasur parasysh shtimin e rasteve me COVID-19 në komunat përkatëse, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të kësaj sëmundjeje të rrezikshme./Insajderi.com