
Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e menjëhershëm për dëmet e shkaktuara nga breshri në komunat e Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se do të presin nga ministria e financave se si mund të kompensohen ata që janë dëmtuar, raporton Ekonomia Online.
“Shumën e mjeteve nuk e kemi cek, por është lënë që Ministria e Financave të diskutojë se si kishim pasë mundësi që nga kategoria e shpenzimeve rezervë të ndahet një shumë për kompensimin e dëmeve, që kanë ndodh deri më tani, por edhe për krijimin e një fondi të veçantë për vitit 2019”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të përshpejtojë ndarjen e subvencioneve për bujqit e veçanërisht për të dëmtuarit.
“Ministria e Bujqësisë të përshpejtojë ndarjen e subvencioneve veçanërisht për ata që janë dëmtuar.Qeveria duhet të gjejë një mënyrë për kompensim për dëmet e shkaktuara këtë vit”.
Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se do të sigurojnë fondet nga mjetet, të cilat nuk janë shfrytëzuar.
Hamza, më tutje, njoftoi se do të krijohet fondi për kompensimin e dëmeve eventuale.