Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e 68-të me radhë të mbajtur të martën në formë elektronike, ka marrë disa vendime që lidhen me shpronësime, njofton Insajderi.
Në këtë mbledhje është vendosur për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesave për shpronësim në disa pjesë të vendit.
Po ashtu është marrë vendim edhe për anulimin, ndryshimin e plotësimin e vendimit për shpronësimet që preken nga autostrada “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për: Ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, një në Prizren, dhe renovimin apo ndërtimin e ish objektit të filialit së “Jugobankës” në Mitrovicë, për nevoja të Gjykatës Themelore.
Është vendosur edhe për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme në zonën kadastrale Bresalc në Gjilan që preket nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në zonën e Balincës në Malishevë që preket nga ndërtimi i rrugës Prishtinë-Pejë dhe në Milloshevë të Obiliqit që preket nga ndërtimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Qeveria po ashtu ka vendosur për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të vendimit me të cilin ishin miratuar shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë. Aty përfshihen segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Parallovë) dhe Gjilan (Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).
Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin të objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’, në fshatin Studençan të Suharekës.
Ndër vendimet tjera të marra në këtë mbledhje është edhe vendimi për obligimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit që bashkë me ndërmarrjet publike qendrore të përgatisë dhe raportojë në Thesarin e Kosovës të dhënat e plota, me kohë dhe të sakta, për huamarrjet e brendshme dhe ndërkombëtare. Ky raportim duhet të bëhet në baza tremujore, jo më larg se 15 ditë pas përfundimit të çdo tremujori.
Është vendosur edhe për obligimin e të gjitha institucioneve publike që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (ASHI/MPB), për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi.
“Me këtë rast, obligohet ASHI/MPB të paraqesë për miratim në Qeveri draftin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike brenda tre (3) muajve si dhe Policia e Kosovës që të rrisë kapacitetet hetuese për parandalimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim./Insajderi.com