Qeveria e Kosovës ka votuar me shumicë votash propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen e ekspertit financiar që do të përpilojë ekspertizën financiare për rastin “Devolli” të kërkuar nga Tribunal i Arbitrazhit Ndërkombëtar, propozim ky që u parashtrua në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, njofton Insajderi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se afati i fundit për dorëzimin e ekspertizës ndaj padisë që i është bërë Kosovës në Tribunalin e Arbitrazhit është data 30 prill e këtij viti.
“Në momentin që kam pranuar detyrën për shkak të neglizhencës në të kaluarën jemi përballur me shumë situata emergjente ndaj të cilave duhen veprime të mëtejme për të mbrojtur Kosovën pranë Arbitrazhit ndërkombëtar ku jemi paditur si shtet”, ka thënë Haxhiu.
“Në linjë me këtë propozoj ta shqyrtoni propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për inicimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen eksperti financiar që të përpilojë ekspertizën financiare për rastin ICC HBH Devolli të kërkuar nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar. Afati për dorëzimin e ekspertizës është data 30 prill 2021 dhe mos respektimi i afateve do të ketë pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës”, shtoi ajo. /Insajderi.com