Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për familjen e 11-vjeçarit të ndjerë, Kujtim Veselit, i cili u përdhunua dhe u vra gjatë vitit 2019 në Fushë Kosovë, njofton Insajderi.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar.
“Kujtimi ka lënë pas nënën e tij motrën e vëllezërit. Kujtimi ishte fëmija i parë i Makfires dhe ishte në situatë rrugë që kishte ndërprerë shkollën. Ne e kemi pranuar edhe raportin e avokatin e popullit që duhet të e ndihmojmë familjen. Kërkesa për dëmshpërblim ka ardhur nga mbi 2 mijë e 500 shtetas të Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
I akuzuari për dhunimin e 11-vjeçarit S.O. është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata Themelore e ka gjetur atë fajtor për dy vepra penale: Vrasje e rëndë dhe Dhunim.
“I akuzuari S.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh për veprat penale ‘Vrasje e rëndë dhe Dhunim’, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 16.07.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Kujtimi 11-vjeçar, që i takonte komunitetit ashkali, u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një objekti banimi në Fushë Kosovë, më 11 korrik të vitit 2019. Sipas gjykatës, ai fillimisht ishte detyruar të kryej akt seksual e më pas është goditur me mjet të fortë që si pasojë ka vdekur. /Insajderi.com