Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, ka njoftuar se Qeveria të cilën e drejton ai, nëpërmjet 1 mijë bursave studentore, do të ofrojë mbështetje financiare për një mijë vajza studente në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, njofton Insajderi.com.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti tha se të drejtë aplikimi për këto bursa kanë studentet e nivelit bachelor.
“Të drejtë aplikimi do të kenë të gjitha studentet e rregullta të fushave STEM në vitin akademik 2021-2022 në nivelin bachelor”, ka shkruar Kurti.
Tutje, kreu i Qeverisë së Kosovës tha se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim.
“Prandaj edhe kemi marrë vendimin që arsimi i lartë në Kosovë në nivelet Bachelor dhe Master të jetë falas”.
“E drejta e vajzave për arsimim, veçanërisht në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, është e panegociueshme”, është shprehur Kurti. /Insajderi.com