Qeveria ndihmon Preshevën pas raportimit të Gazetës Shneta dhe Insajderi

Qeveria ndihmon Preshevën pas raportimit të Gazetës Shneta dhe Insajderi

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se ka ndarë gjysmë milioni euro për Komunën e Preshevës, atë të Bujanovcit dhe Medvegjës për përballimin e situatës me koronavirus.

Lajmi është konfirmuar nga Qeveria Kurti pas mbledhjes së 26-të e cila është mbajtur sot. “Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për Komunën e Preshevës, Komunën e Bujanovcit dhe Komunën e Medvegjës në vlerën prej 500,000.00 € (pesëqind mijë euro) që do të përdoren për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ky vendim i Qeverisë vjen pasi Gazeta Shneta dhe Insajderi alarmuan se dy qeveritë, e Kosovës dhe Shqipërisë, nuk e kishin ndarë asnjë cent për t’i ndihmuar shqiptarët e Luginës për ta luftuar pandeminë Covid-19.

Këtë e pati konfirmuar edhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë Dr. Driton Salihu në një intervistë për Shnetën dhe Insajderin. “Presheva nuk ka deri tash asnjë ndihmë përveç premtimeve ditore si në Kosovë dhe në Shqipëri. Nuk kemi pas asnjë ndihmë të vetme dhe preshevarët janë shumë të revoltuar sidomos me Qeverinë në Kosovë kur po e shohim se si Serbia po i ndihmon serbët në Kosovë”, ka deklaruar Salihu.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni më poshtë.