Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për heqjen e reklamave shtetërore nga mediat elektronike dhe të shtypura, vlerësohet si hap pozitiv në drejtim edhe të heqjes së ndikimit të pushtetit mbi politikat e tyre.
Sipas vendimit, institucionet qeveritare, aktivitetet e tyre, në veçanti shpalljet e interesit të përgjithshëm, mund t’i publikojnë në transmetuesin publik edhe atë në bazë të kritereve të përcaktuara, pa kompensime dhe në faqet e internetit të institucioneve përkatëse.
Vendimi vjen pas reagimeve të shumta për shkak të favorizimeve të mediave të caktuara nga Qeveria e mëparshme.
Shoqata e Gazetarëve ka vlerësuar se vendimi “përçon mesazhin se pronarët e mediave dhe menaxherët më nuk mund të presin para nga fondet publike, që të shpërbëjnë si makineri propaganduese, por se ekzistencën e tyre duhet ta kërkojnë në tregun mediatik”.
Edhe njohësit e çështjeve të mediave e vlerësojnë pozitivisht vendimin, duke shpresuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim të taktikës për kontrollin e sërish mbi median.
“Mendoj se është një vendim i mirë që mënjanon mjetin kryesor të Qeverisë për të kontrolluar mediat, pasi pikërisht nëpërmjet reklamave, Qeveria e kaluar ndërhynte në pavarësinë e mediave në Maqedoni, duke i bërë që të shndërrohen në klient apo në propagandues të saj, e jo në përfaqësues apo artikulues të interesave të publikut”, thotë Xhelal Neziri nga qendra për gazetari hulumtuese.
Ai thotë se që vendimi të jetë i plotë duhet të pasohet edhe me një masë tjetër, atë të mënjanimit të konfliktit të interesit në mediat, që janë të lidhura me kompani të caktuar, që në fakt janë edhe pronarë të mediave të cilët kanë përfituar tenderë nga institucione shtetërore.
Vendimi i Qeverisë vlerësohet pozitivisht edhe nga Isen Saliu, nga e përditshmja “Lajm”, por vetëm nëse vendimi, sipas tij, është i sinqertë në dhënien fund të konkurrencës jolojale, siç bënte Qeveria e kaluar.
“Nëse vendimi i Qeverisë është vetëm sa për të ndërprerë reklamat qeveritare dhe në anën tjetër për të gjetur forma tjera për të mbështetur financiarisht mediat që përkrahin Qeverinë, atëherë mendoj se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga e kaluara. Mendoj se Qeveria duhet të gjejë forma për të ndihmuar mediat e pavarura që pësuan rëndë nga politika e Qeverisë së kaluar, duke ndarë miliona për mediet që mbështesin Qeverinë”, thotë Saliu duke vënë në sprovë kryeministrin Zoran Zaev që të ndërhyjë tek partneri shqiptar në qeveri, BDI-ja, e cila në kohën e qeverisjes me VMRO-në kishte ngritur padi ndaj kësaj gazete në vlerë prej disa dhjetëra mijëra euro.
“Në këtë drejtim ndoshta hapi i parë që do të duhej të ndërmerrte kryeministri Zoran Zaev është që të kërkonte nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja që të tërhiqte dy paditë ndaj gazetës Lajm në vlerë prej 50 mijë eurove, që do të ishte një sinjal se Qeveria e re ka ndërmend që të ndryshojë qasjen ndaj mediave në aspekt pozitiv në krahasim me Qeverinë e kaluar”, thotë Saliu.
Nga ana tjetër, Xhelal Neziri nga qendra për gazetari hulumtuese, thotë se Qeveria duhet megjithatë të mendojë për interesin e përgjithshëm, e që mund të arrihet përmes financimit të projekteve të karakterit arsimor, kulturor e shkencor.
“Qeveria vlerësoj se megjithatë duhet të kenë fonde të caktuara për mediat që do të kenë prodhime në interes të përgjithshëm. Por, në këtë rast duhet të kihet parasysh që këto fonde të mos keqpërdoren për dëgjueshmërinë e mediave por t’i ndahen atyre televizioneve apo gazetarëve që i meritojnë ato financa”, thotë Neziri.
Mediat në Maqedoni kanë qenë në vazhdimësi në qendër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe një nga kushtet kryesore për demokratizimin e vendin dhe procesin e integrimit euroatlantik. Përveç presioneve ndaj mediave ka pasur edhe raste të burgosjes dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve. Maqedonia sipas shumë raporteve ndërkombëtare radhitet në grupin e shteteve me liri të kufizuar të shprehjes.