Qeveria e Kosovës thotë se është e shqetësuar nga pamjet e dhunës që janë shfaqur gjatë aksionit të Partisë Socialdemokrate të zhvilluar mesditën e së premtes para objektit të Ministrisë së Drejtësisë, njofton Insajderi.
Përmes një komunikate për media, Qeveria thotë se beson “në të drejtën për protestë demokratike sepse ajo para se gjithash është një e drejtë e patjetërsueshme që kultivohet dhe garantohet në shoqëritë demokratike”.
“E tillë është shoqëria jonë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës afirmon këtë të drejtë. Jemi të shqetësuar nga pamjet e dhunës sot gjatë një aksioni të Partisë Socialdemokrate. Policia e Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, qetësinë publike dhe mbrojtjen e pronës, duke respektuar të drejtat e njeriut”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Përgjegjësi për operacionin e policisë tashmë është suspenduar, kurse Inspektorati Policor i Kosovës po vazhdon hetimet e mëtutjeshme lidhur me rastin.
“Në qeverisjen demokratike nuk ka vend për dhunë nga askush”.
Aktiviteti i PSD-së është mbajtur të premten rreth orës 12:05 te objekti i Ministrisë së Drejtësisë, ku janë arrestuar tetë aktivistë, përfshirë edhe liderin e partisë, Dardan Molliqaj. Të tjerët janë liruar, por ky i fundit ndodhet në paraburgim, dhe ndaj tij, sipas policisë, është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”. Mënyra e arrestimit dhe dhuna e përdorur nga policia ka nxitur reagime të shumta.
Por, policia aktivitetin e ka quajtur të paparalajmëruar, ndërsa ka thënë se aktivistët e PSD-së kanë dëmtuar 29 vetura zyrtare.
Aktiviteti është mbajtur për të kundërshtuar kontratën e nënshkruar nga Qeveria për “tiketën ngjitëse”.
Sipas kontratës, nga 1 shatori, qytetarët janë të detyruar të paguajnë taksë shtesë prej pesë euro kur regjistrojnë veturën./Insajderi.com