Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të enjten një sqarim publik lidhur me marrëveshjen për “tiketa ngjitëse”, sipas së cilës qytetarët nga 1 shtatori obligohen të paguajnë nga 4 euro e 90 cent shtesë kur bëjnë regjistrimin e veturës, njofton Insajderi.
Kjo marrëveshje ka nxitur reagime të shumta, madje lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë.
E sipas Durmishit, kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018, në kohën kur Haradinaj udhëhiqte me qeverinë, ndërsa Ministria e Infrastrukturës nga Pal Lekaj.
Ai tutje tha se është detyruar ta nënshkruaj këtë marrëveshje më 8 qershor 2021, pasi “në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata”.
“Kur ne kemi ardhur në Qeveri e kemi gjetur marrëveshjen të gatshme vetëm duhej të nënshkruhej. Tre muaj nuk e kam nënshkruar këtë marrëveshje derisa jam siguruar se është gjithëçka në përputhje me ligjin dhe procedurat dhe se është interes i Kosovës. Kam autorizuar auditim të komplet procesit dhe kam marr opinionet nga zyra ligjore e Kryeministrit dhe zyra ligjore e ministrisë”, ka shkruar zv.ministri në profilin e tij në Facebook.
Ndër të tjera, Durmishi ka përmendur edhe “përfitimet e Kosovës” nga kjo marrëveshje.
“Në Kosovë aktualisht janë 20% deri 30% të automjeteve të paregjistruara. Kriteri kryesor për aplikim për kartonin e gjelbër është që ky numër të zbret nën 5%”.
“Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve e kanë vendosur një taksë prej 30 eurove në emër të mbulueshmërisë së dëmeve të shkaktuara nga aksidentet e makinave të paregjistruara”.
“Tiketa ngjitëse ndikon në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion prandaj do të mundësoj që shumë shpejtë të arrijmë në pragun nën 5% të automjeteve të paregjistruara. Me këtë ne kemi përfitim si qytetarë sepse në njërën anë hiqet taksa prej 30 euro e në anën tjetër plotësojmë kriterin kryesor të aplikimit për kartonin e gjelbër me të cilin përfitimet janë të shumta. Përfitim tjetër natyrisht që është edhe siguria rrugore sepse nuk do të kemi automjete pa kontrollë teknike e regjistrim në komunikacion e rrjedhimisht më pak aksidente”./Insajderi.com