Qeveria e Kosovës, ka planifikuar ndarjen e 10 milionë eurove për rezerva shtetërore, të cilat do të mbushen me prodhime vendore, njofton Insajderi.com.
Kjo ndarje u planifikua në mbledhjen e së mërkurës të ekzekutivit derisa kryeministri Kurti i parapriu shqyrtimit të Projektligjit për bujqësi dhe zhvillim rural.
Duke njoftuar se është rritur buxheti për bujqësi, Kurti ka deklaruar se janë adresuar obligimet ndaj fermerëve, prej rreth 40 milionë euro.
“Qeveria është duke u siguruar që të përkrah sektorin e bujqësisë si është më së miri e më sigurt. Kemi aplikuar në programin për bujqësi për grantin prej 20 milionë eurosh për fermerët e vegjël. Do të kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore që mund të mbushen me prodhime vendore”, ka thënë ai.
“Prezantova vetëm buxhetin e shtetit pasi do të ketë edhe investime të investitorëve të huaj që synojnë afro 350 milionë euro. E gjithë kjo përkrahje në vlerë të madhe dhe donacionet nga miqtë tanë do të përfundojnë vetëm tek ata që do merren me aktivitetet bujqësore”, ka thënë ai, duke marrë mbështetjen e kabinetit qeveritar për këtë projektligj. /Insajderi.com