Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë ka filluar diskutimet lidhur me mundësinë e heqjes së pagesës për studentë në universitete publike.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, konfirmoi se plani për heqjen e tarifave pritet të realizohet më së voni vitin e ardhshëm.
Sipas tij, po planifikohet që tarifat të mos hiqen për studentë që e përsërisin vitin dhe për studentët e doktoraturës, pasi, sipas tij, “janë në shumicë të punësuar”
“Tarifat për pagesa do të hiqen dhe këto ditë do të formohet grupi i punës për ndryshimin e udhëzimit administrativ. Me siguri që do t’i jepet përparësi heqjes së tarifave për studentët që regjistrojnë vitin për herë të parë, jo edhe për ata që e përsërisin vitin”, tha Pupovci për ‘REL’.
Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit dhe, sipas Pupovcit, kjo nuk është ndonjë shumë e papërballueshme për kompensim nga Qeveria.
Prorektorja për Financa në Universitetin e Prishtinës, Mihane Berisha, tha se buxheti total i këtij universiteti për këtë vit është mbi 31 milionë euro.
Sipas saj, nga kjo shumë, 12.49 për qind e mjeteve vijnë nga të hyrat vetanake dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.
Ajo tha se deri më tani, UP-ja nuk ka ndonjë njoftim nga Ministria e Arsimit lidhur me planet për heqjen e tarifës./Insajderi.com