Qeveria premton shtrirjen e pistës

Qeveria premton shtrirjen e pistës

Sot, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u prit nga Drejtori i ANP, Haldun Firat Kokturk, i cili e informoi ministrin Lekaj me punën, arritjet dhe gjendjen aktuale në ANP , si dhe prezantoi projektet e zhvillimit të ardhshëm të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Me këtë rast, ministri Pal ka vizituar Terminalin e Aeroportit dhe Agjencinë e Navigimit Ajror, ku u njoih me rrjedhën e punëve që zhvillohen atje.

“Ne diskutuam në thelb për projektet në aeroport dhe për arritjet e Aeroportit, që me të vërtetë është një histori e suksesit të Partneritetit Publiko Privat dhe mendoj se ky është një shembull i mirë edhe për të tjerët të huaj që të vijnë për të investuar në vendin tonë, sepse zhvillimi me këtë trung është me të vërtetë shumë pozitiv. Këtu vërehet edhe zhvillimi i rrjetit të linjave të drejtperdrejta me shtetet tjera. Ne do të shikojmë edhe hapësirat dhe linjat e shteteve të tjera, për të zhvilluar gamën e të gjitha shërbimeve të tjera. Ne si Ministri do të ndërmarrim edhe veprime të tjera që ngrenë seriozitetin e kompanive të udhëtarëve. Përveç kësaj, ne biseduam edhe për shtrirjen e pistës, që do të jetë investim i Qeverisë së Kosovës, pasi të kemi parë modalitetet. Unë do të kryej detyrimet tona që na përkasin si Ministri i Infrastrukturës dhe do të fillojmë sa më shpejt me projekte, realizimi i të cilave do të fillojë posa të nënshkruhet, pa u zgjatur. Ne kërkojmë që të zbatohen të gjitha ato që janë nënshkruar nga dy palët dhe që parashikohen në kontratë. Kjo do të jetë në mirë të sigurisë së qytetarëve, por edhe për zhvillimin e Aeroportit, që të përfundojë si histori e suksesit” ka thënë Lekaj.