Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dhënë mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.
Në opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, thuhet se dispozitat e kësaj fushe nuk janë të rregulluara me legjislacionin e BE-së dhe si e tillë mbetet në kompetencë të rregullimit të brendshëm për vendet e Bashkimit Evropian.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shprehur përkrahjen e saj për projektligjin dhe ka theksuar se miratimi i tij do të kompletojë infrastrukturën ligjore për mbrojtjen dhe respektimin e vlerave të luftës, sakrificën, angazhimin dhe kontributin e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, tha se në pajtim me përfundimet e Kuvendit materiali është i gatshëm dhe mund t’i procedohet Kuvendit të Kosovës.
“Në pajtim me përfundimin e Kuvendit materiali është i gatshëm dhe mund të procedohet Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.
Kundër ka votuar zëvendëskryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq dhe ministri për Komunitete dhe kthim Dalibor Jevtiq./Insajderi.com