Zyra e Kryeministrisë ka publikuar raportin e përgatitur nga ish-Koordinatori Shtetëror, Skender Hyseni, për rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi që nga rinisja deri në fund të vitit 2020.
Ky raport ishte përgatitur për ish-kryeministrin Avudllah Hoti dhe ishte dorëzuar më 30 dhjetor 2020, njofton Insajderi.
Në dokumentin prej 29 faqesh përmendet koha e takimeve të mbajtura dhe me cilët akterë shtetëror dhe ndërkombëtarë janë takuar për të diskutuar për këtë proces.
“Duhet theksuar qartë se Kosova nuk ka marrë dhe nuk do të merr asnjë zotim të veçantë, pa pranuar Serbia njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, në kufijtë ekzistues dhe me këtë rend kushtetues”, thuhet në fund të dokumentit i nënshkruar nga Hyseni.
Ky dokument është publikuar pasi kryeministri Albin Kurti pati deklaruar publikisht në një intervistë se nuk i ishte dorëzuar kur ka marrë detyrën e kryeministrit.
Por, këtë e kishte mohuar ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili pati thënë se ia ka dorëzuar Kurtit të gjitha dokumentet që ka poseduar./Insajderi.com