Qeveria reagon për vaksinat anti-COVID në Veri

Qeveria reagon për vaksinat anti-COVID në Veri

Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë informacion nga Dogana apo Policia Kufitare për futjen e vaksinave anti-COVID në Veri të vendit.

Në reagimin e Qeverisë, thuhet se nuk kanë pasur asnjë komunikim me institucionet e Serbisë për këto vaksina.

Ekzekutivi që drejtohet nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, deklaroi se do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

Të premten në Veri të Kosovës janë dhënë vaksina për qytetarët e asaj pjese.

Gazeta Online Insajderi, ka kontaktuar me zyrën e ministrit, Armend Zemaj, por thanë se “s’kanë asnjë informacion”.

Reagimi i Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës njofton opinionin se në bazë të  informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.

Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje,  as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse  të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt,  duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale).   Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore. /Insajderi.com