Biznesi në bregdetin e jugut në Shqipëri lulëzon në prona të tjetërsuara

Qeveria shqiptare jep leje për resorte turistike në prona të grabitura

Qeveria shqiptare jep leje për resorte turistike në prona të grabitura

Edhe pse qeveria e Shqipërisë, ka qenë në dijeni të plotë, të një serie të gjatë falsifikimesh të pronave në bregdetin e jugut në Shqipëri, saktësisht në bregdetin e Palasës,  një hulumtim i “Reporter.al” ka nxjerrë se Qeveria e Ramës ka miratuar ndërtimin e dy resorteve turistike, duke i dhënë njërës prej kompanive ndërtuese mburojën juridike si “investitor strategjik”.

Në plazhin dikur të virgjër, të njohur nga banorët e zonës me emrin Dhraleo, ose Rrugët e Bardha, në 7 mars, 2014 qeveria aktuale ka miratuar lejen e zhvillimit për resortin turistik “Green Coast” – një kompleks vilash dhe apartamentesh me investitor grupin Balfin, i shtrirë në një sipërfaqe prej 185 mijë metrash katrorë.

Pak kilometra më tutje, në të njëjtën datë, Këshilli Kombëtar për Rregullimin e Territorit, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka dhënë një tjetër leje ndërtimi për një resort vilash të shtrirë në një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë, me investitor kompaninë Eurocol sh.p.k.

Kompleksi turistik “Green Coast,” ka marrë në vitin 2015, vlerësimin si investim strategjik në fushën e turizmit, duke i dhënë investitorit mbrojtje juridike nga problemet dhe pretendimet e pronësisë mbi tokën mbi të cilën ai po ndërtohet.

Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga “Reporteri.al” tregojnë që ky resort, por edhe kompleksi i vilave i Eurocol sh.p.k, po ndërtohen në prona të cilat janë tjetërsuar nga pronarët e ligjshëm nëpërmjet falsifikimeve ose vendimeve të paligjshme, për të cilat strukturat më të larta të shtetit kanë pasur dijeni të plotë./Insajderi.com