Shqipëria shpall “non grata” diplomatin rus

Shqipëria shpall “non grata” diplomatin rus

Qeveria e Shqipërisë ka shpallur person “non grata” diplomatin rus Alexey Krivosheev, pasi nuk ka respektuar masat kundër përhapjes së Coronavirusit, transmeton Insajderi.

Krivosheev duhet të largohet nga Shqipëria brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar.

Në njoftimin e ministrisë së jashtme shqiptare thuhet se “Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë”.

Tutje, në njoftimin thuhet se “ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mos përsëritjen e shkeljeve”.

Kështu nisur nga sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, ministria argumenton se veprimet e diplomatit, “nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”./Insajderi.com