Qeveria s’jep detaje për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në dialog

Qeveria s’jep detaje për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në dialog

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mbajë të fshehtë angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e dialogut, transmeton Insajderi.

Sipas saj, ndjeshmëria e procesit ka ndikuar në mosdhënien e informacioneve.

Një pjesë e tyre do të angazhohen nga ambasadat e vendeve të ndryshme e që janë të përfaqësuara në Kosovë, midis të tjerash ajo e Britanisë, Zvicrës e Hungarisë, raporton ‘Koha’.

Derisa nga Ambasada e Britanisë e Hungarisë nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje, ajo e Zvicrës ka kërkuar që për këtë temë të flasë ekzekutivit.

“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit nuk mund të ofrojmë më shumë detaje nga ato që tashmë janë bërë publike”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në anën tjetër, njohës të bisedimeve me Serbinë e vlerësojnë të nevojshëm zgjerimin e ekipit të Kosovës për këtë proces.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Politikave të Ballkanit, thotë se në mungesë të ekspertizës së duhur janë bërë edhe gabime në procesin e dialogut.

“Kosova ka mungesë të njerëzve të temave të caktuara, sidomos të çështjeve që ndërlidhen me shtetndërtimin në aspektin ndërkombëtar, pra dhe zgjidhjen e konflikteve dhe Kosovës do t`i duhen ekspertë pavarësisht se cila qeveri është në pushtet do t’i duhen ekspertë të fushave të ndryshme, që nga vetë sistemi i negociatave të dialogut e deri te çështjet që ndërlidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare”, është shprehur Rashiti.

Ndërsa, Gurakuç Kuçi thotë se institucionet duhet të kenë kujdes në angazhimin e ekspertëve.

“Ekipi duhet të jetë edhe më i larmishëm se që është tani, duhet të përshihen edhe personat të cilët jo domosdo janë publikë, por kanë një aftësi të duhur që të japin mendimet e tyre dhe gjithsesi këta njerëz duhet që t’i njohin kulturën, psikologjinë e popujve të Ballkanit, psikologjinë e pjesëmarrësve në negociata dhe gjithsesi edhe interesat, sepse përndryshe ne do të dilnim humbës”, ka thënë analisti Kuçi. /Insajderi.com