Qeveria sqaron kontratën për blerjen e arkivoleve për personat e pagjetur

Qeveria sqaron kontratën për blerjen e arkivoleve për personat e pagjetur

Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një komunikate për media ka sqaruar kontratën për furnizim me arkivole dhe shërbime përcjellëse të rivarrimit.

“Kërkesa për kontratën e re, është bazuar pikërisht në nevojë dhe procedurë paraprake dhe në asnjë rast, nuk thotë që shpenzohen të gjitha mjetet, por cili do të ishte kufiri i shpenzimeve për shërbime 3 vjeçare”, thuhet në sqarimin e zyrës së Kryeministrit.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, reagimi për këtë kontratë, më shumë se sa obliguese dhe për një temë tejet të dhimbshme për popullin tonë, është i patakt.

Në komunikatë sqarohet se përmes këtij programi / kontrateje, janë kryer shërbimet e rivarrosjes për luftëtarët në Kompleksin Memorial në Morinë, për rivarrimet e të rënëve në Çabrat të Gjakovës dhe për heronj e dëshmorë të tjerë të vendit dhe po me këtë kontratë, përveç arkivoleve parashihen edhe procedura dhe shërbime të tjera përcjellëse, siç janë murosja apo mbyllja e varreve dhe logjistika me qëllim nderimi, siç janë lulet dhe famujt.

“I gjithë ky shërbim, bëhet në përkrahje të familjeve të personave të zhdukur dhe të rënëve, në organizimin e ceremonisë së rivarrimit, gjithmonë sipas kërkesës së familjarëve. I gjithë ky shërbim, është obligim i yni ndaj familjeve të personave të pagjetur”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Kryeministrit.