
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon sulmin me ngjyrë që Lëvizja Vetëvendosje, kishte hedhur ndaj veturës së ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.
Sipas qeverisë sulmi e ka vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e ministrit. Ata i bëjnë thirrje organeve kompetente që të marrin masat për zbardhjen e këtij rasti.
“Lëvizja Vetëvendosje me këtë veprim dëshmoi edhe njëherë se është në gjendje të rrezikoj jetën e qytetarëve të vendit dhe të përfaqësuesve legjitim të institucioneve, me qëllim të realizimit të skenarëve të saj kundër shtetit të Kosovës”.
Në komunkatën e qeverisë thuhet se Vetëvendosje po angazhohet që të dëmtojë progresin e Kosovës në proceset euro integruese.
“Përkatësisht po bën përpjekje që të pamundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet e BE-së, siç ka bërë edhe në të kaluarën kur me veprimet e saj ka pasur ndikim në mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe ka dëmtuar ndjeshëm imazhin e shtetit”, shkruan në njoftim. /Insajderi.com