Dy favoret e mëdha të Qeverisë për fabrikën e duhanit të Gazmend Abrashit

Dy favoret e mëdha të Qeverisë për fabrikën e duhanit të Gazmend Abrashit

Qeveria e Kosovës, ka hartuar një dokument me të cilin synon të heqë akcizën për duhan. Në vend të akcizës, e cila për cigaret paguhet në shumë prej 45 EUR/KG, ndërsa për duhanin 35 EUR/kg, parashihet që të aplikohet një taksë prej 30%.

Nëse ky dokument i qeverisë kalon në Kuvend, përfituesi më i madh do të jetë këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Gazmend Abrashi i cili po ashtu është Koordinator për Zhvillim Ekonomik në Qeveri dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Krejt kjo pasiqë fabrika e vetme që meret me prodhimin e cigareve në Kosovë është “Premium Tobacco Group”, në pronësi të Abrashit, shkruan Insajderi.

Ai e ka privatizuar fabrikën e Duhanit në Gjilan, në vitin 2013 pas një varg dështimesh për ri-aktivizimin e saj.

Përveç Gazmend Abrashit që është pronari kryesor i firmës “Premium Tobacco Group”, aksionarë janë edhe Shkëlzen Bashota dhe Genc Bashota.

Aktualisht, cigaret i nënshtrohen akcizës në shumë prej 45 EUR/KG, ndërsa duhani 35 EUR/kg. Në vitin që shkoi, Kosova ka importuar afërsisht 2,770 tonelata cigare, që i bie se të hyrat vetëm nga akciza e cigareve ishin rreth 125 milionë euro. Po të aplikohej taksa prej 30% në vend të akcizës, të hyrat për buxhetin do të ishin vetëm 20 milionë euro.

Siç shkruan EkonomiaSot koncept dokumenti për “Ndryshimin e Politikave Fiskale dhe Bujqësore për Prodhimin e Duhanit dhe Cigareve në Kosovë” është përgatitur nga Ministria e Financave dhe pritet të shqyrtohet sot në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ekipi që ka përgatitur koncept dokumentin, i kryesuar nga Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave, ka propozuar opsionin me ndryshimet si në vijim.

“Të hiqet akciza për cigare dhe duhan, dhe në vend të akcizës të aplikohet taksa në vlerë të mallit – 30%. Të bëhet subvencionimi i duhanit në shumën 1 EUR/kg”.

Përvec që kompania e Abrashit do të përfitoj nga heqja e akcizës ai do të përfitoj edhe nga subvencionimin, pasi që sipas koncept dokumentit pagesa e subvencionimit bëhet kur produkti dorëzohet tek grumbulluesi.

Grumbulluesi i vetëm aktualisht është vetëm “Premium Tobacco Group” e Abrashit.

Qeveria Haradinaj para pak kohësh, kishte hartuar një dokument me anë të të cilit synonte zhvillimin ekonomik me anë të industrisë së lojrave të fatit.

Parashihej që të krijohen lehtësime për këtë industri, derisa janë paralajmëruar edhe ndryshime për t’u mundësuar operimin edhe kategorive të reja të lojërave të fatit.

Pas kundërshtimeve të mëdha lidhur me këtë vendim Haradinaj pati deklaruar se synimi i Qeverisë, nuk është që të stimulohet kjo industri, por vetëm të futet në korniza ligjore, pasi, sipas tij, gjendja është kaotike. /Insajderi.com