“Marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend”.
Kështu ka deklaruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, transmeton Insajderi.
Për këtë marrëveshje administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, kishte deklaruar se duhet të implementohet.
“Administrata e Biden ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë baza për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, kishte thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett në një intervistë për Radio Televizionin 21.
Megjithatë, nga Qeveria Kurti thonë se kjo marrëveshje është jolegjitime “pasi është nënshkruar nga Qeveria Hoti, e cila ishte po ashtu jolegjitime”.
Sa i përket raportit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeziu potencoi se janë në kontakt “për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”.
“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet”.
Për takimin e 15 qershorit në Bruksel, Kryeziu për EO tha se është bërë e qartë nga Qeveria se njohja reciproke është finalizimi i vetëm që Kosova e pranon.
Ndërsa, sa i përket raportimit të kryeministrit në Kuvend për takimin në Bruksel, ai ka thënë se nëse ka ndonjë ftesë nga Kuvendi apo Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme, Kurti është i hapur të japë përgjigje.
Megjithatë, ai tha se në takimin e ardhshëm do të ketë takime të ndërmjetme me ndërmjetësuesin ashtu që të ketë një përpjekje për të pasur një dakordim mbi agjendën e dialogut të ri, ku do të diskutohet edhe tema e të pagjeturve që është ndër temat më të rëndësishme në çdo diskutim me palën serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik./Insajderi.com