Qeveria thotë se në dialog do të kërkohet konsensus, tema e parë – fati i të pagjeturve

Qeveria thotë se në dialog do të kërkohet konsensus, tema e parë – fati i të pagjeturve

Nga Qeveria e Kosovës thonë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i koncentruar në përmbajtje dhe jo në afate kohore, transmeton Insajderi.

Kështu është shprehur zëdhënësi i këtij institucioni, Përparim Kryeziu, i cili shton se përbërja e delegacionit të Kosovës do të bëhet duke u bazuar nga temat e diskutimit, duke shtuar se dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus.

“Dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime dhe me synime të qarta dhe të dakorduara në mes palëve të përfshira aty. Dialog i koncentruar në përmbajtje, e jo afate kohore. Qeveria dhe kryeministri Kurti do të udhëheqë me dialogun. Këtë do ta bëjë duke u koordinuar dhe këshilluar me presidenten Osmani, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara aty”, ka thënë Kryeziu për KK.

“Sa i përket ekipit, ai do të caktohet varësisht nga temat e diskutimit, sipas fushave të përgjegjësisë dhe të ekspertizës. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin. Dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus. Tema e parë duhet të jetë fati i personave të pagjetur”, shtoi ai. /Insajderi.com