Qeveria vazhdon ta kundërshtojë minishengenin, Maqedonia Veriore e sheh profitabile për rajonin

Qeveria vazhdon ta kundërshtojë minishengenin, Maqedonia Veriore e sheh profitabile për rajonin

Qeveria e Kosovës po vazhdon ta kundërshtojë minishengenin ballkanik, duke thënë se janë pro bashkëpunimit rajonal, por vetëm mbi bazë të barazisë dhe moszëvendësimit të projektit të Bashkimit Evropian, mirëpo mbështetje ndaj minishengenit po kërkon Maqedonia e Veriut, e cila e sheh këtë si nismë profitabile për të gjithë rajonit, njofton Insajderi.

Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se minishengeni nuk është çështje prioritare për vendin.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke kundërshtuar këtë nismë, thotë se çështja e minishengenit ballkanik nuk ka qenë asnjëherë temë në ekzekutiv.

“Për Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk është riaktualizuar minishengeni, për shkak se nuk ka qenë aktual asnjëherë. Ju e dini qëndrimin e qeverisë sa i përket projektit të mini-shengenit, i cili meqenëse vendlindjen e ka në Novi Sad më saktë është t’i themi ideja e zonës së Novi-Sadit. Ne si qeveri dhe si shtet jemi të hapur për bashkëpunim rajonal, mirëpo vetëm mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Po ashtu jemi të hapur për bashkëpunim rajonal në atë mënyrë që ai nuk e zëvendëson projektit e BE-së dhe integrimit tonë në të. Por veçse e fuqizon dhe avancon përpjekjen e shtetit tonë pro Ballkanit për anëtarësim në BE”, thotë ai, raporton KP.

Ndërsa, përkrahje nga Kosova për këtë nismë rajonale po kërkon zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.

“Çdo iniciativë e cila do të rritë mundësitë për qytetarët tonë të Ballkanit Perëndimor mendoj se duhet të përkrahet. Duhet të shohim se cili është benifiti ekonomik dhe mendoj se zanafilla e bashkëpunimit rajonal ngërthen në vete mundësi dhe benefite ekonomike. Prandaj, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor i shoh të njëjtë, të barabartë, sepse vetëm ashtu mund të ecim përpara në sfidat që na presin”, thotë ai për KP. /Insajderi.com