Rezolutat e miratuara nga Kuvendi i Kosovës si propozime për Qeverinë, duhet të merren më seriozisht dhe të trajtohen në formë më obligative. Kështu konsiderojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se tash e sa vite gjithçka përfundon pas miratimit të rezolutave.
“Rezolutat që nxirren nga Kuvendi i Kosovës do të duhej të kishin një rëndësi më të madhe dhe jo të përfundojnë siç jemi mësuar tash e këto vite t’i shohim, miratohet ose jo një rezolutë dhe aty përfundon, duke qenë se nuk janë edhe obligative. Kuvendi si organzimi më i lartë do të duhej t’i bënte më obligative, t’i shoh mënyrat se si të detyrohet, ne kemi parë kur ka pasur raste kur janë nxjerr rezoluta që logjikisht ish dashtë edhe Qeveria t’i zbatojë ato mirëpo asnjëherë nuk kemi parë ndonjë raportim më të detajuar se çfarë ka ndodhë pas miratimit të atyre rezolutave” është shprehur ajo, duke shtuar se këtë legjislaturë do të jetë problematik edhe vetë miratimi i rezolutave.
“Zakonisht partitë opozitare që kanë ndonjë proces që dëshirojnë edhe të krijojnë një proces të caktuar mirëpo jo gjithmonë kanë gjetur edhe mbështetje, tash në këtë radhë është pak më problematike duke qenë se partia në pushtet i ka më lehtë numrat e nevojshëm për miratim të një rezolute, do të jetë pak më problematike miratimi i tyre sidomos për ato që vijnë nga partitë opozitare”, ka thënë ajo për EO.
Ndërsa Agnesa Haxhiu nga KDI-ja, ka vlerësuar se edhe përkundër faktit që rezolutat janë akte joobligative ligjërisht, Qeveria nuk duhet ta ketë komoditetin e moszbatimit të tyre.
“Rezolutat janë akte ligjërisht joobliguese me të cilat Kuvendi shpreh qëndrim mbi një çështje të caktuar dhe jep rekomandime të cilat konsideron që duhet zbatohen nga ana e ekzekutivit për të përmirësuar një çështje të caktuar. Mirëpo me faktin që ato nuk janë obligative si akte juridike kjo nuk do të thotë që u jep komoditet Qeverisë që të mos marr veprime për t’i zbatuar ato”, është shprehur ajo.
“Sa i takon rezolutave në muajt e parë të legjislaturës së tetë deri tash i kemi të propozuara gjithsej shtatë rezoluta vetëm një është miratuar dhe ajo është “Rezoluta që njeh gjenocidin në Srebrenicë”, ndërsa rezolutat e tjera pesë janë hedh poshtë me anë të votës dhe një tjetër vazhdon me mbetet ende pa epilog. Të gjitha këto rezoluta janë propozuar prej grupeve parlamentare të opozitës, tre prej tyre janë të PDK-së, dy të AAK-së dhe një e LDK-së dhe shumica e tyre lidhen me situatën me pandeminë”, ka përfunduar ajo. /Insajderi.com