Qeveritarëve s’u shërbejmë më kafe

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka vendosur që lokalet të mos u shërbejnë kafe qeveritarëve, të cilët morën vendimin për masa të reja kufizuese. Ata thonë që meqë qeveria nuk po ka konsideratë për ta, as ata nuk do kenë kafe për Qeverinë. “Vendimi hyn në fuqi menjëherë”.

Qeveritarëve s’u shërbejmë më kafe

Nëse do të duan të pinë kafe anëtarët e kabinetit qeveritar, do t’u duhet ta marrin me vete nga shtëpia – njëjtë siç bën kryeministri me sandviçët e tij.

Përndryshe do të mbesin pa dozën ditore të kafeinës, meqë lokalet nëpër Prishtinë nuk do t’u shërbejnë kafe.

Kështu ka vendosur, dhe vendimin e tyre e kanë bërë publik përmes Facebook-ut, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, njofton Insajderi.

“Shoqata e Gastronomëve në emër të gjithë anëtarëve shpall Qeverinë e Kosovës NON GRATA (të padëshirueshëm)”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ky vendim – radikal – vjen pas masave të reja të marra nga Qeveria e Kosovës që do të fillojnë të implementohen nga e premtja e kësaj jave.

Me masat e reja, lokalet, por edhe çdo biznes tjetër afarist nuk do të guxojë të funksionojë pas orës 19:00.

Ky restrikcion qeveritar është parë i gabuar dhe fatal për mirëqenien e bizneseve nga gastronomët – edhe ashtu të dëmtuar nga mbylljet dhe kufizimet e mëhershme.

Prandaj, “s’ka kafe për juve”, pasi “s’ka konsideratë për neve”, thonë ata.

“Nuk do t’ju shërbejmë në kafe, bare dhe restorante”.

Ndryshe nga vendimi i qeverisë që futet në fuqi të premten, vendimi i gastronomëve “hyn në fuqi menjëherë”./Insajderi.com