Mungesa 24 muajshe

Qeveritë shqiptare takohen pas dy vjetësh – dhjetëra marrëveshje presin zbatim

Plani ishte që të ketë mbledhje çdovjetore, megjithatë kanë kaluar dy vjet prejse qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë takuar s’fundi herë. Të mos pasurit takime ka lënë shumë projekte në gjysmë. Prandaj, tash ka mbetur shumë punë për t’u bërë ka thënë për Gazetën Online Insajderi, Zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj-Halimi. Vendi është Shkodra. Data, 25 shtator.

Qeveritë shqiptare takohen pas dy vjetësh – dhjetëra marrëveshje presin zbatim

Java e tretë e shtatorit do të nis ndryshe.

Pas rreth dy vjetëve mungesë, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen në Shkodër më 25 shtator, ku pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të përbashkëta.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, koordinatorja për mbledhjet e dy qeverive, zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimi.

Ajo tha se kësaj mbledhjeje ku pritet që rreth 11 marrëveshje të gjejnë zbatim, do t’i paraprijë një takim tjetër këtë të mërkurë, më 16 shtator, ku do të takohen me palën shqiptare për t’i finalizuar punët e deritanishme.

Dogana e Kosovës në Durrës, Hidrocentrali në territorin shqiptar dhe Linja Hekurudhore po vlerësohen si të dobishme për dy vendet shqipfolëse, prej të cilave mund të përfitohet shumë nëse zbatohen në praktikë.

“Më 25 shtator do të mbahet mbledhja e dy qeverive. Por, të mërkurën më datë 16 shtator, do të mbajmë takim me palën shqiptare në Shkodër dhe me protokollin për t’i finalizuar punët e deritashme”, ka thënë Balaj-Halimi për Insajderi-n.

“Përafërsisht do të jenë rreth 11 marrëveshje dhe se secila jam e sigurt që do të gjejë zbatim. Ndryshe nuk kam lejuar asnjë marrëveshje që mund të hasë në telashe”, shton tutje ajo.

Ditë më parë, njohës të fushës së ekonomisë kanë cilësuar se këto projekte të përbashkëta do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, mallrave, si dhe do të rrisin profitet e bizneseve.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, kishte vlerësuar se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm.

“Burimet energjetike në Shqipëri janë tërësisht nga uji, ndërsa nga Kosova janë nga thëngjilli, nëse kërkohet ndonjë këmbimin mes Kosovës dhe Shqipërisë të shohim sa është kjo racionale. Por ajo që dihet është se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Kosova dhe Shqipëria edhe në të kaluarën kanë mbajtur mbledhje të përbashkëta, ku janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, megjithëkëtë disa prej tyre nuk kanë gjetur zbatim konkret në të dy vendet. /Insajderi.com