
Gazeta zvicerane Blick ka raportuar për varrimin e familjes 5-anëtarëshe nga Suhareka që ndërruan jetë të dielën në një aksident tragjik në rrugën Suharekë-Duhël.
Me titull: “Qindra persona në Luginën e Lotëve”, Blick përshkruan situatën nga varrimi i familjes 5-anëtarëshe në fshatin Sopi të Suharekës si të vështirë nga ana emocionale. Gazeta zvicerane thotë se qindra njerëz nga të gjitha vendet e rajonit morën pjesë në varrim për t’i nderuar viktimat – në mesin e të cilëve ishin edhe dy fëmijë 6 dhe 3 vjeç.
Hidhërimi, vështirë të shpjegohet me fjalë
Avdyl Kabashi foli në emër të familjes dhe falënderoi të pranishmit në varrim për mbështetjen e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë.
“Unë nuk mund ta shpjegoj me fjalë çka do të thotë kjo për ne, që njerëzit udhëtojnë mijëra kilometra vetëm për të qenë këtu me ne,” tha ai në ceremoninë e varrimit. “Qielli gjithashtu po qan si një shenjë trishtimi. Ju jeni lule dhe ju do të jeni lule përgjithmonë”.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj gjithashtu foli. Ai tha se kjo është një tragjedi për Kosovën. “Gjetja e fjalëve të duhura në këtë ditë të trishtuar është shumë e vështirë. Jo vetëm Suhareka, por e gjithë Kosova po vuan”, tha ai.
Jeton Sadikaj nga Suhareka, që jetonte në Reinach të Zvicrës, udhëtoi në Kosovë me familjen e tij të shtunën e kaluar për të kaluar pushimet verore. Tre ditë më vonë 33-vjeçari u varros në atdheun e tij.
Ai vdiq në një aksident rrugor bashkë me gruan e tij 26-vjeçare, djalin 6-vjeçar, vajzën 3-vjeçare dhe nënën 56-vjeçare. Familja pesë-anëtarëshe u përplas me një autobus në rrugën Suharekë-Duhël. /Insajderi.com