QKMF-të me ndërrim 12 orësh pas numrit të madh të pacientëve me COVID-19

QKMF-të me ndërrim 12 orësh pas numrit të madh të pacientëve me COVID-19

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka njoftuar se nga e hëna, më 29 mars 2021, punëtorët shëndetësorë do të punojnë në ndërrim prej 12 orësh, njofton Insajderi.

Ky vendim është marrë pas shtimit jashtëzakonisht të madh të numrit të të prekurve me Coronavirus në Prishtinë.

“Që nga e hëna në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë do të kalojmë në orar 12 orësh. Pra nuk do të punohet në dy ndërrime por vetëm me një ndërrim 12 orësh”, tha Gashi për ‘RTV 21’.

Gashi ka shtuar se të gjithë qytetarët do marrin shërbimet, dhe se ky orar po iu jep fleksibilitet që të mbulojnë edhe qendrën në Emshir dhe t’i japin shërbime edhe qytetarëve të prekur.

Ndërsa, ka shtuar se në kushte normale në Prishtinë ofrohen deri në tetë mijë shërbime në ditë, por tani sipas tij situata ka ndryshuar.

“Tani po kërkohen 8,500 deri 9,000 shërbime ditore”, tha Gashi. /Insajderi.com