Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka reaguar ndaj rastit të zyrtarit policor, Haris Kelmendi, i cili në një video-incizim që po qarkullon në rrjet, shihet duke e sulmuar fizikisht një 18 vjeçar në stacionin policor në Prishtinë, njofton Insajderi.
Në një komunikatë për media, nga kjo qendër kanë thënë se janë të shqetësuar lidhur me këtë rast, ndërsa kanë bërë thirre që të dënohet dhuna policore.
“QKRMT, shpreh shqetësimin për faktin se edhe në të kaluarën është raportuar për përdorim të forcës apo keqtrajtim fizik të të arrestuarve dhe ndaluarve nga ana e Policisë së Kosovës, dhe organet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar dhe zbardhur këto raste” thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje, thuhet se QKRMT i ka parë këto veprime të Policisë së Kosovës si të panevojshme, dhe të papranueshme.
QKRMT ka kërkuar nga Prokuroria dhe Gjykata kompetente që sa më shpejt të ndëshkoj zyrtarët policor të shfaqur në video.
“QKRMT, u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të drejtësisë penale të ndërmarrin veprime konkrete në luftimin e dukurisë së pandëshkueshmërisë ndaj veprimeve të paligjshme të Policisë së Kosovës.
Zhvillimi i një procedure hetimore të shpejt, të paanshme dhe profesionale do të ndikonte në mbrojtje më efikase të të drejtave të njeriut dhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në organet e rendit dhe të sigurisë” thuhet mes tjerash në njoftim./Insajderi.com