QKRMT pranon ankesë për keqtrajtim fizik nga Policia e Kosovës

QKRMT pranon ankesë për keqtrajtim fizik nga Policia e Kosovës

Ekipi i Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka pranuar ankesë për keqtrajtimin fizik – përdorimin e forcës ndaj një qytetari në Stacionin Policor në Graçanicë.

“QKRMT më 03.10.2017 ka realizuar një vizitë të rregullt monitoruese në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Prishtinë. Gjatë kësaj vizite ekipi i QKRMT-së ka takuar edhe një të ndaluar i cili është ankuar se është keqtrajtuar nga policia në Stacionin Policor në Graçanicë”, thuhet në njoftim.

Sipas QKRMT-së, ky i ndaluar i arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “sulm” dhe “pengim i personit zyrtar”, kishte shenja të dukshme në trup të përdorimit të forcës si dhe njolla gjaku në rrobat e tij.

Në bazë të deklaratës së tij, QKRMT thotë se, pas një aksidenti komunikacioni është fjalosur me palën tjetër brenda ambienteve të Stacionit Policor në Graçanicë, ku më pas është veçuar në një dhomë tjetër dhe është keqtrajtuar fizikisht nga njëri prej policëve të këtij stacioni.

“Ai ka deklaruar se për disa minuta është goditur me shufër metalike në pjesë të ndryshme të trupit, duke marrë lëndime në qafë, krah, duar dhe këmbë – lëndime këto të evidentuara edhe në raportin mjekësorë të QKUK të datës 02.10.2017. Vlen të cekët se zyrtari policor sikurse edhe arrestuari janë të nacionalitetit shqiptarë”, thuhet më tej aty.

QKRMT rikujton se obligimet e zyrtarëve policorë në raport me përdorimin e autorizuar të forcës janë bërë të qarta me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-076 Për Policinë.

Sipas nenit 26.2 të këtij Ligji “zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë forcën, vetëm atëherë kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet për t’i arritur objektivat legjitime të policisë”.

Kurse, “në  rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet ta minimizojë ndërhyrjen në të drejtat dhe liritë e personit dhe të minimizoj çfarëdo pasoje të dëmshme” (neni 26.4).

QKRMT, përmes një raporti të veçantë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) për rastin dhe ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për inicimin e rastit tek organet kompetente, raporton Insajderi.

Ndërsa, është konfirmuar se në raport me të arrestuarin janë përmbushur garancitë themelore kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në dhomat e ndalimit në Stacionin Policor në Prishtinë si: e drejta për të pasur avokat mbrojtës; e drejta për t’u kontrolluar nga mjeku në rast nevoje; dhe e drejta për të njoftuar familjen apo të afërmit.