Klinika e Oftalmologjisë (Syve), në tremujorin e parë të këtij viti ka pasur trend të rritjes së vëllimit të punës, ku brenda kësaj periudhe janë kryer 792 operacione, përfshirë edhe ato ambulantore, dhe ka pasur 11 mijë e 895 vizita ambulatore si dhe 1481 vizita sub-specialistike.
“Gjatë kësaj kohe janë hospitalizuar 720 raste me 3336 ditë shërbimi, në gjithsej 49 shtretër. Janë shënuar rezultate në ngritjen e kapaciteteve në kirurgjinë e syrit e sidomos në kirurgjinë e kataraktës me fakoemulzifikim, ku për tre muaj është arritur të kalohet shifra mbi 500, kurse në vitin 2015, kishte vetëm 150 intervenime të tilla, pra statistika e këtij tremujori flet për shtim të vëllimit të punës”, thuhet në komunikatën e QKUK-së.
Nga kjo klinikë ka pasur 658 aplikime të avastinës, po ashtu janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e procedurës së re të kirurgjisë vitreoretinale.
Klinika e Oftalmologjisë ka tri salla operative, pesë ambulanca specialistike, diagnostika – kabinetet për glaukomë, strabologji dhe retinë./Insajderi.com