Sipas akademik Rexhep Qosja, ministri i Arsimit është pjesë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, falë ndërhyrjes së Hashim Thaçit në këtë institucion.
Qosja, ka akuzuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër ka ndikuar direkt në përzgjedhjen e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, si anëtar korrespodent i ASHAK-ut.
“Në zgjedhjet e para katër vjetësh kur e kanë parë se ia kanë tepruar, një gjuhëtar ka shkuar tek kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe i ka thënë se kë doni ta pranoni nga Partia Demokratike e Kosovës në akademi. Dhe Thaçi ka thënë se e duan ministrin Arsim Bajrami”, ka thënë Qosja në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova.
Por Qosja nuk është ndalur me kaq, sa i përket akuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi. Ai ka treguar edhe arsyen se përse ministri Arsim Bajrami nuk është zgjedhur tash, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve.
“Ata e bënë anëtar korrespodent, por tani nuk e bënë të rregullt. Sepse frikësohen se nesër mund të bëhet kryetar i saj”, ka thënë Qosja.
Përpos presidentin e vendit, Qosja ka akuzuar edhe kryeministrin Isa Mustafa, që drejton edhe partinë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas Qosjes, Akademinë e sundon një klan rajonal dhe një klan partiak, tash e njëzet e dy vjet.
“Gati e gjithë kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është në Akademi”, ka thënë Qosja, duke vazhduar kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Isa Mustafa.
“U pranua në Akademi edhe kryetari i Prishtinës, tash kryeministër, pothuaj pa asnjë vepër. Pse u pranua ky njeri? Sepse u duhet atyre brenda akademisë për ta bërë atë vend shtëpi private. Nuk ka akademi në Evropë që e pranon njeriun në pozitë shtetërore për anëtar”, ka thënë Qosja./Insajderi.com