“Forcat e Sigurisë së Kosovës mund t’i shërbejnë paqes kudo që kërkohet”.
Në këtë mënyrë u shpreh ministri i Mbrojtjes në Detyrë, Anton Quni, teksa po komentonte misionin e parë paqeruajtës të FSK-së jashtë vendit.
“Veteranët kur i kujtojnë momentet me gjithë ato kufizimet që i kemi pasë tani arrijmë në një fazë kur ne jemi të konsoliduar mirë, të pajisur mirë dhe me këto kapacitete tona mund t’i shërbejmë paqes kudo që kërkohet”, tha ai në Klan Kosova të mërkurën.
FSK është nisur për një mision paqeruajtës në Katar. Kjo u bë me një ceremoni në të cilën morën pjesë edhe presidentja e kryeministri në detyrë, Vjosa Osmani dhe Avdullah Hoti.
Më 5 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës me 92 vota pro kishte dhënë dritën jeshile që FSK të marrë pjesë në misione paqeruajtëse përkrah ushtrisë amerikane.
Kjo është cilësuar si shumë pozitive për shtetësinë dhe sigurinë e Kosovës. /Insajderi.com