Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, njëherësh edhe ministër në detyrë i Mbrojtjes, është shprehur se presin që në zgjedhjet e reja ky subjekt politik të jetë me vota aty ku ka qenë në zgjedhjet e kaluara nacionale, njofton Insajderi.
Ai tutje është deklaruar edhe rreth largimit të Vjosa Osmanit dhe Haxhi Avdylit, për të cilët Quni thotë se do të ishte më mirë sikur të ishin pjesë e partisë.
Sipas Qunit nuk ka ndikuar që të lëvizë elektorati i partisë me largimin e tyre.
“Do të ishte më mirë sikur të ishin edhe Osmani edhe Avdyli. Jemi para një akti kur këto gjëra janë definuar. Ata janë në listën e VV-së tash. Nuk lëviz votuesi i LDK-së aq lehtë nga një formacion politik për shkak të ndonjë ndjeshmërie emocionale në një individ”, është shprehur Quni në emisionin “Analiza” të Klan Kosovës.
“LDK ka elektorat stabil dhe jam më se i bindur se do të qëndrojnë besnikë. Unë miqtë e mi dhe Mustafa kemi kërkuar gjuhë të përbashkët. Nuk e shoh aq tragjike (që s’janë). Secili është i lirë ta shpreh qëndrimin dhe ta gjejë veten aty ku mund të japë kontribut”, thotë tutje ai. /Insajderi.com