Kandidati për kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se për partinë e tij ka pasur kritika qysh prej koalicionit me PDK-në që e kishin bërë, njofton Insajderi.
Ai në emisionin Desku ka thënë se zgjedhjeve ku Vjosa Osmani u priu, ishin rikthim i shpresës për këtë parti se disa gabime do të përmirësohen.
“Janë disa momente kur nga kryesia kanë dalë disa vendime që nuk janë parapëlqyer nga trupi i votuesve. Kemi pasë reagime. Sado që janë bë përpjekje që vendimet të kuptohen si racionale në dobi të shtetit, ka pasë momente që kemi qenë në fokus të kritikave. Kjo fillon të theksohet nga momenti kur u arrit marrëveshja me PDK-në dhe kur një pjesë e votuesve shprehën një dozë pakënaqësie. Kur vjen momenti që zgjedhjeve nacionale t’u prijë Vjosa Osmani është një rikthim i shpresës se disa gabime në të kaluarën tani do të përmirësohen. Pritjet ishin të mëdha”.
Quni më pas sqaroi pak edhe për koalicionin me Vetëvendosjes. Thotë se fillimisht ishte krijuar lidhshmëri mes tyre, por pas zgjedhjeve u krijuan probleme mes tyre lidhur me harmonizimin e programit qeverisës.
Në disa momente, thotë ai, autoritetet e LDK-së nuk pyeteshin fare për hapat që do ndërmerreshin derisa kishin koalicion me VV-në.
“U krijua një emocion, lidhshmëri mes LDK-së dhe VV-së që kuptohej si e natyrshme që koalicioni i radhës do jetë mes tyre. Por pas shpalljes së rezultateve fillojnë problemet e para me harmonizimin e programit qeverisës. Ishin disa momente kur autoritetet e LDK-së nuk pyeteshin fort për hapat e mëtejmë, për konsolidimin e Kuvendit e Qeverisë dhe krijohet një krizë në momentin pa konsultime brendapartiake. Emërohet kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe jepet një pretekst i disa personaliteteve brenda LDK-së që të ngrisin zërin se nuk mund të ngritet partneritet me VV-në. Një grup që ishim i identifikuar të arrihej ky koalicion dhe tjetri që e kundërshtonin, këto dy grupe brenda LDK-së i shfaqnin mendimet e qëndrimet e ndryshme dhe kryetari ishte në pozitë jo të mirë”, tha ai tutje.
Quni tha se për shkak të mendimit që kishte shfaqur ish-ministri i Brendshëm, Agim Veliu, për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ishte sanksionuar nga atëherë kryeministër, Albin Kurti./Insajderi.com