Çfarë ndodhi në Karaçevë?

Quni për Insajderi.com: Po presim raportin e saktë nga KFOR-i për hyrjen e forcave serbe në Kosovë

Se trupa të xhandarmërisë serbe janë futur në territorin e Kosovës të premten, kjo dihet. Për çfarë arsye ka ndodhur kjo? Ende askush nuk ka një përgjigje. Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me Ministrin e Mbrojtës. Antoni Quni ka thënë se ende nuk i ka të gjitha detajet. Ato do t’i posedojë në raportin që pritet ta ketë së shpejti.

Quni për Insajderi.com: Po presim raportin e saktë nga KFOR-i për hyrjen e forcave serbe në Kosovë

Ende nuk ka një raport të saktë nga ana e KFOR-it, lidhur me prezencën e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës, në ditën e djeshme të shtatë gushtit, njofton Insajderi.

Mirëpo, pritet që shumë shpejtë të zbardhen motivet e kësaj ngjarjeje.

Kështu thotë Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, derisa është përgjigjur për Insajderin lidhur me futjen e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.

Quni tutje ka shtuar se qysh kur është njoftuat për lëvizjen e forcave serbe brenda Kosovës, është në kontakte të vazhdueshme nga Kryeministri Avdullah Hoti dhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral, Michele Risi.

“Që nga momenti kur është njoftuar për lëvizjen e forcave serbe brenda territorit të Kosovës, jam në kontakte të vazhdueshme me Kryeministrin Hoti dhe Komandantin e KFOR-it, gjeneral Risi. Poashtu kam biseduar me Kryetarin e Komunës së Kamenicës, zotin Qëndron Kastrati”, ka thënë Quni.

I pari i MM-së, tutje tha se edhe nga ana e FSK-së janë duke u zbatuar veprimet e duhura në lidhje me këtë rast për të cilin besohet se së shpejti do të ketë një raport të saktë.

“Rasti është duke u hetuar nga autoritetet e KFOR-it dhe institucionet vendore të sigurisë. Besoj se së shpejti do ta kemi raportin e saktë mbi natyrën dhe motivin e kësaj ngjarjeje. Nga ana e FSK-së janë duke u zbatuar veprimet e duhura nën drejtimin e Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënantë Rrahman Rama”, është shprehur Quni për Insajderi-n.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke marrë informacione nga zyrtarët e trupave të armatosur ndërkombëtare, KFOR, rreth futjes së xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Që nga mbrëmë është nisur mbledhja e detajeve rreth veprimit të xhandarmërisë serbe në territorin tonë, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka reaguar një ditë më pas, ka thënë se janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.

“Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, është shprehur ai.

Se trupa të ushtrisë serbe kanë kaluar nëpër territor të Kosovës, fillimisht, u morr vesh nga një video që e shpërndau në Facebook deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefali Bajqinovci.

Edhe pse ende nuk dihet saktë motivi i asaj se çfarë është parë në video, sqarimet e para për patrullimet serbe në Kosovë i ka thënë nënkryetari i komunës së Kamenicës, Faton Jakupi.

Ai ka njoftuar se ka kontaktuar me KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth lajmit të së premtes dhe videos ku shihen trupa të xhandarmerisë serbe në Karaçevë, derisa thotë se KFOR-i e ka informuar se me shtatë gusht, dje, e premte, kanë pasur patrullime të përbashkëta, KFOR-i Amerikan, ai Turk dhe pala serbe.

“Menjëherë kam kontaktuar me KFOR, konkretisht me LMT-rajoni Lindje dhe nga ta u informova se sot me datë 07.08.2020 paskan pas patrullime të përbashkëta : KFOR-i Amerikan, Turk dhe pala serbe”, ka shkruar Jakupi në Facebook.

Megjithatë, ai thotë se nuk ka marrë përgjigje se pse u lejuan serbët të kalojnë në territorin e Kosovës.

“Po pse është lejuar që xhandarmëria serbe të futet në këtë pjesë të territorit të Kosovës ende nuk kam marrë përgjigje nga KFOR”, ka thënë Jakupi.

Edhe pas afër 24 orëve që nga publikimi i këtyre pamjeve, një reagim deri më tani nuk ka pasur nga i pari i shtetit, Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq reagime për këtë ngjarje pati nga fytyra publike në skenën politike, e madje edhe nga partitë në tërësi.

PDK për hyrjen e trupave serbe në Kosovës thotë se janë të papranueshme lejimi i KFOR-it dhe neglizhenca e qeverisë së Kosovës. /Insajderi.com/