Qytetarët e Kosovës në Veri kanë filluar ta marrin vaksinën kundër COVID-19, falënderojnë Vuçiqin

Qytetarët e Kosovës në Veri kanë filluar ta marrin vaksinën kundër COVID-19, falënderojnë Vuçiqin

Mediat serbe të Kosovës, kanë njoftuar se në Veri të vendit ka filluar dhënia e vaksinës anti COVID-19, vaksinë e zbuluar nga kompania amerikane Pfizer.

Interesi i qytetarëve ishte shumë i madh siç shihet edhe nga fotografitë e publikuar nga këto media, njofton Insajderi.

Fillimi i vaksinimit të serbëve të Kosovës është konfirmuar edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa institucionet në Kosovë nuk janë deklaruar për këtë zhvillim.

“Vaksinat kanë filluar në Leposaviq, derisa kanë mbërritur edhe në Mitrovicën e Veriut. Fillimisht do t’i marrin mosha mbi 75 vjeç, për t’i mbrojtur ata, pastaj të gjithë të tjerët”, ka thënë Vuçiq.

Para qendrës shëndetësore në Leposaviq, janë parë kolona të mëdha njerëzish që presin për t’u vaksinuar.

Mediumi serb nga Kosova, Kosovo Online, njofton se nesër do të fillojë vaksinimi edhe në Zubin Potok dhe Zveqan./Insajderi.com