Qytetarët të kënaqur me shërbimin në qendrën e vaksinimit

Qytetarët të kënaqur me shërbimin në qendrën e vaksinimit

Procesi i vaksinimit anti-COVID në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, është duke vazhduar, ndërsa qytetarët po shprehen të kënaqur me shërbimet, transmeton Insajderi.

Qytetari Flamur Qollaku pas vaksinimit me dozën e parë të vaksinës ‘Pfizer’, tha se i tërë procesi i vaksinimit ka shkuar si duhet, derisa shtoi se dozën e dytë do ta marrë gjatë muajit të ardhshëm.

“Jam i kënaqur procesi shkoi mirë. Gjithçka ka shkuar në rregull. Datën për dozën e dytë ma caktuan muajin e ardhshëm”, ka thënë ai, raporton EO.

Edhe qytetarja tjetër, Albulenë Kastrati, tha se po ndihet mirë dhe nuk ka asnjë lloj reaksioni nga marrja e vaksinës.

“Nuk po ndjej ndonjë reaksion. Doza e dytë më është caktuar me datën 2 gusht. Kam pritur që do të ketë fluks të madh të njerëzve për një minutë dy e mora vaksinën”, është shprehur ajo.

Ndërsa, Isa Selmani tha se po ndihet mirë, e që edhe ai gjatë muajit të ardhshëm do ta marrë dozën e dytë.

Bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, që nga fillimi deri më sot procesit të vaksinimit i janë nënshtruar mbi 200 mijë persona. /Insajderi.com