Qytetarja serbe pretendon se dikush ia ka plaçkitur banesën në Gjakovë

Qytetarja serbe pretendon se dikush ia ka plaçkitur banesën në Gjakovë

Qytetarja serbe, Dragica Gashiq, pretendon se i është thyer banesa e saj në Gjakovë. Ajo në fillim të qershorit është bërë serbja e parë që është kthyer për të jetuar në Gjakovë.

Gashiq ka thënë për Radio Evropën e Lirë se banesa e saj është thyer dhe plaçkitur, mirëpo një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Nusret Xhurkaj, tha për Insajderi-n se Gashiq nuk ka raportuar në polici për një rast të tillë.

Ai shtoi se i vetmi informacion që kanë është se ajo është kthyer të martën rreth orës 11:00 në banesën e saj, pasi ishte në Klinë për vizitë te motra.

“Ajo është kthyer të martën rreth orës 11:00 në banesën e saj e shoqëruar nga policia. Por, në polici nuk ka raportuar se i është thyer apo plaçkitur banesa, sepse përndryshe policia do të fillonte hetimet”, tha Xhurkaj.

Megjithatë, Gashiq tha se e ka raportuar rastin në polici.

Sipas saj, në banesë mungojnë sendet e saj personale, ushqimi, kamera e sigurisë dhe pajisja e internetit.

Gjëja më e vështirë, sipas saj, është se dera e përparme nuk mund të mbyllet tani dhe se ajo nuk e di se si do ta kalojë natën në këto kushte.

“Nuk mund të riparohet assesi”, tha Gashiq.

Në fund të qershorit, Gashiq ka bërë përpjekje ta ndryshojë derën e jashtme të banesës dhe ta zëvendësojë atë me një të blinduar, por policia nuk e ka lejuar ta bëjë këtë, me arysetimin se duhet të marrë leje komunale për diçka e tillë.

Në fillim të korrikut, Komuna e Gjakovës ka ngritur padi kundër Gashiqit në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar që ajo “të anulojë kontratën për marrjen me qira të banesës”.

Gashiq tha për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka ndërmend të largohet nga banesa e saj në Gjakovë./Insajderi.com